TIRANË, 15 janar/ATSH/ “Partia Socialiste mbetet gjithmonë partia më e hapur dhe më mbështetëse ndaj të rinjve, të cilët shohin sot tek PS të vetmen forcë transformuese, që mund të përmbushë aspiratën historike të Shqipërisë Europiane”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në 29-vjetorin e krijimit të FRESSH.
“15 Janar 1992. Gëzuar ditëlindjen FRESSH! Si sot 29 vite më parë, me nismën e disa vajzave dhe djemve, studentë e gjimnazistë, të cilët në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri përqafuan vlerat e socialdemokracisë europiane, lindi organizata më madhe politike rinore në Shqipëri: Forumi i Rinisë Eurosocialiste”, tha Balla.
Gjatë ditëve të mbylljes totale për shkak të pandemisë, Balla vuri në dukje faktin se “vullnetarët e FRESSH ndihmuan kudo nëpër Shqipëri, familjet e pensionistëve apo familjet në nevojë me barnat dhe ushqimet bazë”.
“FRESSH më mësoi se njerëzit të duan për atë që je, jo për pozicionin që ke. E kam vath në vesh në çdo hap”, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në 29-vjetorin e krijimit të FRESSH.
“FRESSH më mësoi të punoj në ekip, të udhëtoj për të njohur dhe kuptuar Shqipërinë. FRESSH më dha miq kudo, që kurrë nuk i harroj. FRESSH ishte një shkollë”, tha Spiropali.
“Sot është një mundësi e madhe. Për t’u bashkuar rreth vizionit plotësisht të mundshëm të Shqipërisë Europiane. Për një shoqëri më të drejtë. Me punë që të nderon. Me respekt për ligjet por edhe për të drejtat. Me administatë të meritës jo të tarafit. Me qytete të rilindura. Me fshatra të mbjellë. Me shkolla moderne. Me mësues të denjë. Ne Shqipërinë e kemi ngritur në këmbë”, u shpreh Spiropali.
“Në mandatin e tretë Shqipëria do të vrapojë. Me Edi Ramën, kryeministrin më të mirë të 30 viteve. Që nuk hakmerret për dje. Që nuk mendon vetëm për sot. Por punon për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rinjve shqiptarë në mes të Europës”, theksoi ajo.
/m.m/j.p/r.e/