Volkswagen -15,2% në 2020, por shënon një bum për mjetet elektrike

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-ANSA/ – Kompania Volkswagen regjistroi në vitin 2020 gjithsej 9 305 400 automjete të dorëzuara tek klientët në të gjithë botën, me rënie me 15,2% krahasuar me një vit më parë.

Nga njëra anë, përballë tkurrjes së fortë të përgjithshme për shkak të Covid-19 në vitin 2020, grupi rriti disi pjesën e tij në tregun global të makinave, në kontrast me trendin e përgjithshëm.

Dhe përkundër pandemisë globale, ofensiva elektrike, e mbështetur nga një numër i madh i modeleve të reja, zgjoi interes të fortë nga klientët në vitin 2020 dhe kjo çoi në shpërndarjen e rreth 231 600 automjeteve 100% elektrike, më shumë se trefishi i shifrave për vitin 2019.

Modelet hibride plug-in gjithashtu bindën përdoruesit që blenë 190 500 njësi (+ 175%).

”Ne jemi veçanërisht të kënaqur që kemi përshpejtuar ofensivën tonë elektrike pavarësisht nga pandemia dhe që kemi bërë një hap të madh përpara në zbatimin e strategjisë sonë së bashku 2025+. Këtë vit ne do të vazhdojmë vrullin duke prezantuar shumë modele të tjera elektrike që tërheqin vëmendjen”, tha Grupi Volkswagen në një deklaratë./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.