Vjosa Osmani garon në listë të përbashkët me Vetëvendosjen

PRISHTINË, 14 janar/ATSH/- Lëvizja Vetëvendosje do të përfshijë në listën e saj zgjedhore edhe iniciativën politike të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo u konkretizua me marrëveshjen e nënshkruar sot mes kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, ata theksuan se kjo marrëveshje do të jetë për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion.

Kurti tha se “kur na ndajnë një muaj nga zgjedhjet ju njoftojmë se do garojmë bashkë në një listë, Osmani dhe unë me subjektet tona politike do na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Marrëveshje kjo për një shtet të drejtë pa korrupsion për arsim më të mirë, pa diskriminime”.

Në fushatë do angazhohemi bashkë, tha Kurti duke shtuar se të shtunën dorëzojmë listën.

“Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër dhe president të ri. Ne kemi presidente ajo e ka treguar veten, dhe duhet ta legjitimojmë këtë. Do shërbejmë me përulësi për barazinë e qytetarëve”, u shpreh ai.

Vjosa Osmani tha se “marrëveshja që kemi arritur përfaqëson vullnetin e qytetarëve. Për dy dekada vendi është udhëhequr nga një mendësi politike e gabuar dhe ne duam ta ndryshojmë këtë”.

Sipas saj, kjo që kemi arritur është përtej bindjeve individuale apo emrave individualë.

“Sot dhe për 4 vite e më shumë jemi te vendosur të luftojmë kundër korrupsionit dhe krimit, që të garantojmë mirëqenien e kujtdo. Jemi të vendosur të mbrojmë dhe respektojmë Kushtetutën. Të vendosur për një Kosovë me dinjitet, ku Kurti do jete Kryeministër, një që nuk do i mbyllë sytë përballë padrejtësive”, tha Osmani, duke shtuar se “zotohemi se partneritetin do e vazhdojmë në frymën e Skënderbeut, Rugovës, familjes Jashari dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për liri”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.