Vaksina antiCOVID-19/ Qytetarët për ATSH: Shumë e rëndësishme, i jep fund pandemisë

TIRANË,  14 janar/ATSH-A. Fortuzi-B.Naska/ Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 është shumë i rëndësishëm dhe i jep fund situatës së pandemisë.

Ky është mendimi i qytetarëve të Tiranës, të cilët gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, të pyetur mbi opinionin e tyre mbi fushatën e vaksinimit antiCOVID-19 që ka nisur prej katër ditësh në vendin tonë, shprehen të bindur se është një zgjidhje optimiste për situatën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2.

Një qytetar shprehet se “unë jam plotësisht dakord me vaksinën. Unë e kam kaluar sëmundjen dhe të afërmit e mi në përgjithësi e kanë kaluar. Megjithatë vaksina është e detyrueshme, që të bëhet në kushtet që jemi”.

“Patjetër, patjetër do ta bëj. Ndikon edhe ana psikologjike, por kam besim që vaksina do t’i vërë frenën pandemisë. E rëndësishme që vaksina të jetë e kontrolluar me afat skadence dhe me të gjithë të tjerat dhe nuk kam asnjë iluzion dhe as rezerva. Patjetër që të gjithë duhet ta bëjmë vaksinën”, – shprehet një tjetër qytetar.

“Duhet ta bëjmë, sepse është shpresë për t’u mbrojtur. Nuk kemi frikë nga vaksina, sepse do t’ia hedhim si e gjithë bota. Si s’kemi siguri përderisa ka e gjithë bota. Dikush do dhe dikush nuk do. Kush nuk ka frikë ta bëjë, dikush tjetër që ka frikë të mos e bëjë. Gjithkush jep përgjigje për veten”, – thanë qytetarë të tjerë.

“Përderisa e kanë bërë të tjerët dhe nuk ka ndodhur gjë, patjetër që do ta bëja. Nëse e kanë dhënë sigurinë që nuk ndodh gjë, patjetër që do ta bëjmë. Duhet bërë dhe shpresojmë që t’i japë fund kësaj situatës së virusit”, u shpreh një qytetare.

“Kur të na lajmërojnë, ne do të jemi gati dhe do të shkojmë. Njeriu mendon për veten mbi të gjitha dhe unë them ta bëjmë, sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër”, – tha një tjetër qytetar.

“Unë optimiste e shoh situatën, sepse dëgjova edhe doktor Piperon, sepse ai është edhe mjek vetë. Megjithëse unë jam moshë e kaluar dhe njeriu e dashka jetën. Unë për vete them që duhet ta bëjmë vaksinën, sepse s’e kuptoj përse duhet të vuajmë? Më mirë është që ta bëjmë dhe vetë e mendojmë që e bëra atë gjë që duhet bërë dhe nuk na ngelet pishman. Jemi me shpresë, sepse shpresa është shumë e madhe. Unë nuk mund të them jo apo që nuk e bëj. Vajza ime me gjithë familjen e saj e ka kaluar COVID-19 dhe ka thënë që do ta bëj. Do të shkoj që ta bëj në momentin që të më vijë radha dhe do të jem e gatshme ta bëj”, – tha një e moshuar.

Në qendrën e parë të vaksinimit antiCOVID-19 ngritur në Air Albania Stadium, prej 4 ditësh vijon fushata e vaksinimit “Shqipëria Buzëqesh”, me 975 dozat e para, ku të parët që po marrin vaksinën janë mjekët dhe infermierët në frontin e luftës ndaj COVID-19, në spitalet COVID 1, 2, 3 dhe 4. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.