TURQI – Arrestohen 48 të dyshuar për terrorizëm

ANKARA, 14 janar /ATSH-AA/ – Të paktën 48 të dyshuar u arrestuan në kuadër të një operacioni kundër grupeve terroriste në të gjithë Turqinë.

Operacioni me bazë në Izmir u krye njëkohësisht në 12 provinca të Turqisë si pjesë e një hetimi kundër grupeve ekstremiste të majta të tilla si Partia Komuniste Marksiste-Leniniste (MLKP), Partia Komuniste Turke Marksiste-Leniniste (TKP/ML), Lëvizja Revolucionare e Punëtorëve Socialistë (DSIH) si dhe YPG/PKK.

Nga 51 të dyshuarit, 48 u arrestuan gjatë operacioneve, thanë burimet, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për të folur me media.

Në mesin e të arrestuarve ishin bashkëkryetarja e Partisë Socialiste të të Shtypurve (ESP) Özlem Gümüştaş, ish-krerë të partisë për provincën e Izmirit, Pınar Türk dhe Kerim Altınmakas, si dhe dy avokatë dhe katër punonjës të bashkisë së Izmirit.

Njësitë anti-terror konfiskuan një numër materialesh digjitale, botime të paligjshme, dokumente që u përkisnin grupeve terroriste dhe 50.000 lira turke (rreth 6.750 dollarë) gjatë operacioneve. Burimet më tej theksuan se vazhdon operacioni për kapjen e të dyshuarve të mbetur.

MLKP u themelua në vitin 1994 dhe u shtua në listën aktive të Turqisë në vitin 2007. Grupi terrorist është përgjegjës për shumë sulme në Turqi dhe Sirinë veriore, përfshirë bombardimin e një autobusi publik në vitin 2004 në Stamboll në të cilin u vranë tre civilë.

TKP/ML u themelua në vitin 1972 në Turqi, është një grup i jashtëligjshëm që kryen veprimtari të paligjshme, si dhe sulme të armatosura për të vendosur një rregull Marksist-Leninist në vend. Grupi është renditur si një organizatë terroriste në Turqi.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjet e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.

YPG është degë siriane e PKK-së./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.