Tri familje në Zall-Herr me shtëpi të reja, Veliaj: Po punojmë njësoj, nga qendra në periferi

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, familjet e Riza Zekthit, Hysen Vreshtit dhe Nazmi Oruqit në fshatin Dritas të Zall-Herrit hynë në shtëpitë e rindërtuara, më të sigurta se të parat.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vizitoi familjet në fshatin më periferik të kryeqytetit, ku nënvizoi se puna vijon edhe në ekstremin më fundor të Tiranës, njësoj si në qendër.

“Është e lehtë të prishësh, të shash dhe të pengosh, por është shumë e vështirë të ndërtosh, të bashkëpunosh dhe të kesh rezultat. Më inkurajon shumë fakti që po futemi në kohë rekord në shtëpitë e reja e kështu do të vazhdojmë me të gjitha familjet në Zall-Herr. Po punojmë njësoj, nga qendra në periferi. Është kollaj të bësh llogje nëpër kafene, por më e vështirë të vish në baltë për t’u siguruar që misioni realizohet me sukses”, tha Veliaj.

Ai shtoi se kush i shton vilat në kohë pandemie nuk e kupton një hallexhi, i cili ka mbetur pa shtëpi nga tërmeti.

“Kur nuk ke prekur punë me dorë, ankohesh kollaj. Kur i numëron vilat e tua palë-palë, ankohesh pse bëhen shtëpitë e të tjerëve. Nëse ata do e ndjejnë të falin një nga vilat e tyre për një hallexhi, do e vlerësonim jashtë mase. Por, kur shtojnë të tyret dhe ankohen pse ne punojmë për ata që tërmeti i la pa shtëpi, ka një hipokrizi të madhe. Tiranën e kishin në dorë, po ashtu edhe Shqipërinë, edhe në ato vite ka pasur përmbytje, njerëzit i merrte lumi, por u desh të vinim ne që të jepnim dëmshpërblimet dhe të rregullonim lumin”, theksoi Veliaj.

Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia tha se programi i rindërtimit nuk bën dallime nëse je i majtë apo i djathtë, pasi puna bëhet njësoj për të gjithë ata që u prekën nga tërmeti. Në Zall-Herr po rindërtohen 66 shtëpi individuale të shpërndara në fshatra të njësisë, si dhe 49 banesa kolektive në lagjen e re. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.