Standarde europiane në qendrën shëndetësore nr. 1 në kryeqytet/ Rama: Rasti i sanitares nuk e zhbën heroizmin e mjekëve dhe infermierëve

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot qendrën e re shëndetësore nr. 1 në kryeqytet, e transformuar rrënjësisht në zinxhirin e 300 qendrave të reja shëndetësore me standarde europiane, në vend të karakatinave 50 e 60-vjeçare ku personeli shëndetësor dhe qytetarët vuanin bashkërisht mungesën e kushteve.

Gjatë vizitës në këtë qendër shëndetësore Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtoresha e kësaj qendre Anila Rexha pa nga afër ambientet e reja të transformuara të kësaj qendre.

Kreu i qeverisë e cilësoi aktin e sanitares së ekspozuar nga gazetarët investigativë të emisionit STOP të shëmtuar.

“Jam mirënjohës për mjekët dhe infermierët sidomos për ato që punojnë këtu dhe në këtë situatë kaq të ngarkuar. Jam shumë i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares që cenon imazhin, reputacionin dhe punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe infermierëve dhe krijon perceptimin që kjo është një mënyrë të të punuari e shumë njerëzve, apo është pjesë e sistemit të punës. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer, më ka ngrohur në në atë ngjarje është puna e bërë nga gazetarët investigativë, sepse kanë nxjerrë në pah një llum tejet të papërtypshëm”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “nuk kanë provokuar përkundrazi në gjithë investigimin e tyre nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me mjekët dhe ky të ishte zinxhir. Duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë, për njerëzit që janë në nevojë, që nuk duhet të ndjekin rrugë të tilla, sepse ne jemi të gjithë në dispozicion. Patjetër, që siç nuk ka pyll pa derra, nuk ka asnjë sistem apo sektor ku mund të mos gjenden fundërrina të tilla, që mund të jenë edhe mjekë, por kjo nuk e zhbën sakrificën dhe madje në këtë rast të pandemisë heroizmin e mjekëve”.

“Disa nga kolegët tuaj kanë humbur jetën dhe ju jeni më të ekspozuarit dhe jo vetëm nuk keni lënë njeri rrugëve, apo pa trajtuar, por keni vënë në rrezik jetën tuaj, pavarësisht se ju janë kanë garantuar mjetet mbrojtëse, por kjo flamë nuk pyet për asgjë”, – shtoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “besoj se me gjithë ndryshimet që po bëhen dhe nga pikëpamja e infrastrukturës dhe paga dhe në këtë aspekt do ketë përmirësim. Nuk do të ndalemi këtu, ne jemi në diskutim për të kaluar në një fazë tjetër me sistemin dhe për të krijuar më shumë pavarësi administrative nga ana e strukturave shëndetësore për t’u dhënë mundësi atyre që punojnë më shumë edhe brenda sistemit që të paguhen edhe më mirë me bonuse për shkak të performancës. Nuk mund të paguhet njësoj një mjek që bën 100 vizita me një mjek që bën 20 vizita, nuk është shpikje ajo që vendet e tjera e kanë”.

“Faktikisht duke parë sa thellë e ka bërë Turqia kapërcimin nga një fazë kur ishte goxha e ngjashme me ne situata atje në raport me popullsinë si ofertë dhe kërkesë dhe se si këto probleme të ryshfetit janë zgjidhur me sistem duke fuqizuar trupën e mjekëve dhe autonominë e sistemit, besoj që edhe nga kjo eksperiencë dhe një grup i përbashkët pune që kemi ngritur do arrijmë ta çojmë në një nivel më të konsoliduar këtë që kemi arritur”, – tha Rama.

Duke folur për kushtet në qendrën nr. 1, Kryeministri Rama u shpreh se “tjetër është të vish e të punosh këtu, e tjetër të vish të kesh dijen e dëshirën tënde dhe këtu s’ke asgjë vetëm errësirë, lagështirë e mungesë mjetesh. Tani një pjesë e konsiderueshme e qendrave shëndetësore janë kështu dhe programi do të vazhdojë në të gjithë qendrat shëndetësore do të bëhen si kjo, janë pikat më intensive nga ana e banorëve. Patjetër ka të tjera plot, pasi është luftë me plagë që nuk shërohen shpejt e që në shumë aspekte janë kronike”.

Ministrja Manastirliu tha se “edhe gjatë muajve të pandemisë është bërë një punë e mirë për të vijuar programin tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Në qarkun e Tiranës janë 52 qendra shëndetësore të rehabilituara”.

Qendra e re Shëndetësore nr. 1 në Tiranë, një investim i qeverisë, pjesë e Programit Kombëtar të Rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore u realizua në 6 muaj, gjatë periudhës së pandemisë. Qendra shëndetësore nr. 1, nga disa ambiente të vogla dhe jo të mjaftueshme për qytetarët të cilëve u shërben, të njësive administrative nr. 1 dhe 2 në Tiranë, tashmë zhvendoset në këtë godinë të re, e cila garanton kushtet e duhura për 104 mjekë dhe infermierë, si dhe për 100 mijë banorët që marrin shërbim në këtë qendër.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.