Situata nga pandemia/ Xhaçka takon ambasadorin italian: Duhet të koordinojnë hapat drejt heqjes së kufizimeve

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi këtë të enjte një takim me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.

Ministrja Xhaçka vlerësoi angazhimin e ambasadorit Bucci dhe autoriteteve italiane në avokimin dhe mbështetjen e perspektivës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, teksa theksoi se Shqipëria pret me padurim zhvillimin e IGC-së së Parë.

Kryediplomatja Xhaçka theksoi se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë dhe gjithashtu një nga donatorët kryesorë të saj.

Më tej, ministrja Xhaçka deklaroi se ka akoma shumë potencial për t’u përdorur në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Sa i përket çështjes së pandemisë, ministrja Xhaçka deklaroi se dy vendet duhet të koordinojnë hapat drejt hapjes dhe heqjes së kufizimeve, të shoqëruara nga masa kontrolli për të parandaluar përhapjen e virusit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.