Siguria në diga/ Prova me ngarkesë e portës nr. 4 në Fierzë rezulton e suksesshme


TIRANË, 14 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike përfundoi me sukses provën e funksionimit të portës radiale të tunelit nr. 4 në Fierzë.

Në muajin shtator 2020, para fillimit të sezonit të plotave, në zbatim të rregullores për sigurinë e digave dhe rregullores së shkarkimit, u krye testimi i kësaj porte pa ngarkesë.

“Në kushtet e kuotave maksimale të ujëmbledhësit të Fierzës, ditën e djeshme u krye prova e kësaj porte me ngarkesë, e cila rezultoi e suksesshme”, informoi KESH.

Kjo procedurë kontrolli, sipas KESH-it, u krye për t’u siguruar se të gjitha kapacitetet operative të menaxhimit të plotave të jenë në gatishmëri për sigurinë e digave dhe objekteve të tyre. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.