Reshje dëbore në Llogora, prefekti Mamaj për ATSH-në: Situata në kontroll, po hidhet kripë në rrugë

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Llogoraja prej mbrëmjes së djeshme është mbuluar nga dëbora, ndërsa reshjet nuk kanë krijuar asnjë problem në qarkullimin e automjeteve në segmentin rrugor që përshkon këtë rrugë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se “situata ka qenë në kontroll që në momentet e para të uljes së temperaturave dhe reshjeve të dëborës”.

Sipas tij, kontraktori ka marrë masa për të përballuar reshjet e borës dhe ngricat.

“Në aksin Dukat-Llogora ka filluar hedhja e kripës, gjë që krijon parametrat e duhur për lëvizjen e mjeteve dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes”, – theksoi Mamaj.

“Policia po monitoron trafikun në këtë aks rrugor për të shmangur aksiendetet e mundshme duke këshilluar drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullim e të përdorin mjetet e nevojshme”, – shtoi Mamaj.

Prania e borës në mjediset e Parkut Kombëtar të Llogorasë, e bën më tërheqës këtë mjedis pyjor malor edhe për të apasionuarit pas turizmit të bardhë.

Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.