Plotësimi i vakancave për drejtues në 10 Prokurori/ Kandidatura vetëm në 3, në të tjerat funksionon mekanizimi i caktimit të përkohshëm

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen plenare të radhës ku miratoi disa vendime të rëndësishme.

Në mbledhjen e sotme KLP miratoi raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit, Bledar Bejko dhe Agron Gjana. Një kopje të raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Me vota 6 vota pro dhe 3 kundër, Këshilli vendosi të ndërpresë procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës të kandidatit për t’u komanduar Inspektor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të ndalojë vijimin e procedurës të komandimit si Inspektor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të kandidatit për prokuror, Sonila Muhametaj (Domi).

Me 6 vota pro dhe 3 vota kundër, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatit për t’u komanduar Inspektor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Xhevahir Lita. Më datë 28 dhjetor 2020, me shkrese zyrtare, Xhevahir Lita i ka kërkuar Këshillit të tërhiqet nga gara për këtë pozicion pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjithashtu, Këshilli miratoi relacionin mbi përfundimit të verifikimit të pasurisë dhe figurës të prokurores Daniela Sulaj (Konica), kandidate për t’u komanduar Inspektor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe vendosi në unanimitet pranimin e saj në procedurën e kandidimit si Inspektore pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Me shumicë votash, Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar verifikimin e pasurisë dhe figurës për 4 kandidatë prokurorë për t’u komanduar Inspektor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; Daniela Sulaj (Konica), Elena Pelushi (Bakallbashi), Lindita Ziguri (Male) dhe Julian Zonja dhe të përcjellë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë listën e kandidatëve.

Me shumicë votash, Këshilli vendosi për caktimin e përkohshëm të Ollga Visi në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, të Irena Çunoti në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë dhe të Gjon Fusha në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Në datën 28 dhjetor 2020, Këshilli vendosi të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 10 vendeve vakante për “Drejtues Prokurorie”, përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Në mbarim të afatit të thirrjes për shprehje interesi, vetëm në 3 prokurori ka pasur kandidatë (Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë. Në 7 prokurori ku nuk ka pasur asnjë kandidat, ndaj Këshilli do të vazhdojë me plotësimin e vakancave nëpërmjet mekanizmin e caktimit të përkohshëm.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi për kualifikimin e kandidatëve që plotësojnë kushtet për kandidim për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm si vijon; Artan Madani kandidat për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë; Gentian Habazaj kandidat për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat dhe Artan Strungza kandidat për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë dhe për fillimin të menjëhershëm të procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës për këta kandidatë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë më datë 17 dhjetor 2020 ka miratuar hapjen e procedurës për paraqitjen e kërkesës nga kandidaturat që vijnë nga radhët e prokurorëve, për t’u komanduar, me pëlqimin e tyre, për Përgjegjës i Sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, në Ministrinë e Drejtësisë.

Brenda afatit të caktuar për paraqitjen e kërkesave për komandim, pranë Këshillit kanë paraqitur kërkesë 2 prokurorë, Bledar Mustafaraj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe Olgert Rumnici, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

Duke konsideruar të përmbushura të gjitha fazat e procedurës së komandimit për pozicionin e Përgjegjësit të Sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, në Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli vendosi unanimisht miratimin e opinioneve të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për dy kandidatët.

Këshilli vendosi të caktojë Vatë Staka, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si anëtar me të drejtë vote në Bordin Drejtues të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë. Anëtari i zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është zëvendëskryetar i Bordit Drejtues./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.