Pa radhë, vula dhe kosto/ Korrigjimi i adresës aktuale apo deklarimi i adresës së re, një tjetër lehtësim nga e-Albania

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Të gjithë qytetarët mund të korrigjojnë adresën aktuale të vendbanimit ose të deklarojnë adresën e re përmes platformës e-Albania, pa radhë, pa vula dhe pa kosto.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video shpjeguese ku tregohet procedura se si mund të aplikoni në e-Albania.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër lehtësim nga e-Albania, ku ju mund të korrigjoni adresën aktuale të vendbanimit tuaj ose deklaroni adresën e re vetëm në 3 minuta duke përdorur celularin apo kompjuterin pa marrë më rrugën për dokumenta, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Nuk është më nevoja të shkoni në zyrat e gjendjes civile, pasi aplikimi bëhet në e-Albania  për ndryshim/saktësim vendabanimi. Aplikoni onlne lehtë dhe shpejt, nga shtëpia, zyra, kudo ku ndodheni dhe konfirmimi i adresës tuaj të re apo saktësimi i asaj aktuale do t’ju vijë në e-mail dhe tek mesazhet e-Albania.

Procedura është thjeshtë fare, identifikohesh si qytetar, klikon “Aplikim për ndryshim/saktësim vendbanimi”, plotësoni të dhënat tuaja, ngarkoni një dokument shoqërues që vërteton pronësinë/përdorimin e banesës.

Më pas dërgoni aplikimin e pas tri ditësh kontrolloni e-mail dhe mesazhet nëse adresa që keni dërguar është miratuar apo refuzuar.

Aplikimi refuzohet kur përditësimi i adresës nuk përkon me dokumentin, që vërteton pronësinë/përdorimin e banesës të ngarkuar nga aplikanti. Në e-Albania merret shërbim pa radhë e pa vula.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.