TIRANË, 14 janar/ATSH/ Numri i të punësuarve në fund të vitit 2020 rezulton të jetë 55% më i lartë, krahasuar me vitin 2012.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se me tatimin progresiv, ulet tatimi mbi pagën për 97.5% të gjithë të punësuarve në vend.
Sipas saj, vetëm 2,5% e totalit të të punësuarve paguajnë tatim mbi pagën mbi 10%.
“Në fund të vitit 2020, në listëpagesa janë rreth 55% më shumë të punësuar se në vitin 2012, pavarësisht pandemisë”, u shpreh Denaj duke iu përgjigjur debatit mbi taksimin mbi të ardhurat personale në vend.
Prej vitit 2013 qeveria “Rama” vendosi tatimin progresiv me argumentin e lehtësimit të barrës fiskale për ata që fitojnë më pak.
“Kush fiton më shumë paguan më shumë taksa, kush fiton më pak paguan më pak taksa”, u shpreh Denaj.
Mazhoranca ka deklaruar se do të vijojë të ndjekë politikën e taksimit progresiv edhe në një mandat të tretë qeverisës. /j.p/r.e/