Nis trajnimi i kandidatëve për punonjës pranë Policisë së Burgjeve

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj lajmëroi se ka nisur trajnimi i kandidatëve për punonjës pranë Policisë së Burgjeve.

Gjonaj thotë se trajnimi do të zhvillohet deri më 20 janar, teksa përfshihen 4 rajone dhe për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19 kandidatët do ndahen në dy grupe në çdo institucion.

“Uroj mbarësi dhe sukses për kandidatët për punonjës të rinj të Policisë së Burgjeve. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka filluar trajnimin e kandidatëve për punonjës të Policisë së Burgjeve të Rolit Bazë, që zhvillohet nga data 13.01.2021 deri më 20.02.2021”, shprehet Gjonaj.

“Trajnimi do të zhvillohet në katër rajone: IEVP Fier, IEVP Peqin, IEVP Shkodër dhe Qendra e Trajnimit në DPB. Pjesëmarrësit në trajnim janë sipas listave bashkëlidhur. Për shkak të rrezikut të COVID-19, kursantët do të organizohen nga dy grupe në çdo institucion, pra në total do të jenë 8 grupe”, tha Gjonaj. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.