Nafta falas për fermerët, nesër nisin aplikimet/ Braçe: Kostoja e punës në bujqësi nuk ka qenë kurrë më e ulët

TIARNË, 14 janar /ATSH/ Më 15 janar nis aplikimi për naftë pa akcizë, pa taksë qarkullimi, pa taksë karboni, pa tvsh përkatëse. Zv/kryeministri Erion Braçe duke sjellë këtë nismë në mbështetje të fermerëve u kujtoi atyre se nesër nisin aplikimet.

“Naftë 800 lekë më pak. Aplikoni nga nesër. Për bashkinë Divjakë e Lushnjë, për t’u ndihmuar, shkoni pranë njësive administrative, ku një nëpunës u ndihmon të aplikoni online”, ftoi Braçe fermerët.

Ai theksoi se përfitojnë fermerët individualë, shoqërite e bashkepunimit bujqësor, personat fizikë apo juridikë që kryejnë veprimtari bujqësore.

Braçe theksoi se ata përfitojnë “100% e sasisë së nevojshme për sipërfaqe deri në 10 hektarë, 100% e sasisë së nevojshme deri në 10 hektarë dhe, mbi 10 hektarë sasinë e naftës me normativë të reduktuar përfitimi për litër nafte: 37 lekë/litër akcizë, 27 lekë/litër taksë qarkullimi, 3 leke/litër takse karboni, 13.4 lekë/litër tvsh respektive. Totali 80.4 lekë/litër”.

Dokumentat e nevojshme tha Braçe janë, “Nipt i fermerit aktiv për fermerët individualë. Nipt/nuis aktiv për personat fizik e juridik me aktivitet bujqësor, tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim me dokumentat përkatëse, madhesia totale e fermës, mbi 0.4 hektarë dhe parcelë më të madhe se 0.1 hektarë”.

Braçe kujtoi se aplikimi kryhet në portalin e-Albania, pranë njësive administrative, drejtorive të bujqësisë, ADISA! “Paraqituni në bashkinë Divjakë e Lushnjë për ndihmë aplikimi”, nënvizoi Braçe.

“Mos harroni: hoqëm tvsh e taksën doganore për plehra kimike, pesticide, farëra e fidane bujqësore; hoqëm tvsh për mekanikën bujqësore e elementet e serrave! etj etj etj! Kosto e punës në bujqësi nuk ka qenë kurrë më e ulët! Ndërkohë; tatimfitimi e tvsh në bujqësi e kemi bërë zero”, përfundoi Braçe. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.