Llogaridhënia dhe transparenca/ Bushati: Përpjekjet antikorrupsion, çelësi për zhvillimin e mëtejshëm të vendit

TIRANË, 14 janar/ATSH/ “Korrupsioni është një fenomen mjaft sfidues për politikën sot dhe përpjekjet e përditshme për të minimizuar këtë fenomen janë të nevojshme dhe përbëjnë çelësin e zhvillimit të mëtejshëm të vendit tonë”.

Kështu u shpreh sot deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati i cili mori pjesë në takimin e organizuar nga USAID me Ambasadoren Amerikane, Yuri Kim, ku u konkludua në analiza dhe akte konkrete masat që duhen ndërmarrë për të luftuar korrupsionin.

“Gjatë rrugës së saj drejt zhvillimit të mëtejshëm, Shqipërisë i duhet të evidentojë, monitorojë dhe adresojë korrupsionin dhe perceptimin për korrupsionin në vend”, tha Bushati.

Ai theksoi se “politika sot duhet të ndërmarrë më shumë masa për të adresuar korrupsionin, padyshim në bashkëpunim dhe me median e shoqërinë civile”.

“Të rinjtë shprehen se duhet të bëhet më shumë punë në vend për të minimizuar korrupsionin. Besimplotë se aktet e ndërmarra deri më sot dhe ato që do të vijojnë do të jenë frytdhënëse dhe konkrete”, tha Bushati.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.