Kushi: Me rëndësi respektimi i rregullave antiCOVID për të mbajtur hapur shkollat

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave antiCOVID për të mbajtur hapur shkollat si hapësira të sigurta jo vetëm për mësimdhënien e mësimnxënien, por edhe për aspektin social të nxënësve të të gjitha moshave.

“Unë mendoj se nëse rregullat respektohen maksimalisht, nëse të gjithë mbajnë maskën, nëse të gjithë ruajnë distancën, nëse të gjithë higjienizojnë duart, rreziku që vjen nga shkolla është më i ulët. Natyrisht, rreziku ekziston kudo por duke e konsideruar atë rrezikun më të madh, qoftë edhe nga një ditë e humbur e mësimit. Pra këtë duhet t’a kuptojmë që arsimimi i nxënësit është shumë i rëndësishëm. Edhe një ditë kur e humbasim shkollën ndikon tek ata, jo më të mendosh pastaj për një kohë të gjatë”, tha Kushi gjatë një interviste televizive.

“Gjithmonë kur ka qenë kjo dilema të hapen apo të mbyllen shkollat kur ishte edhe kulmi i pandemisë, prindërit gjithmonë, pjesa më e madhe kanë qenë të mendimit që shkollat duhet të jenë të hapura dhe fëmijët e tyre duhet të vijnë në shkollë. Prindërit e provuan gjatë muajve të parë të pandemisë sesa e vështirë ishte për fëmijët por edhe për ata vetë, që mësimi të zhvillohej në kushtet e shtëpisë. Aty e panë të gjithë vlerën e mësuesit dhe punës që bën një mësues. Por jo vetëm për sa i takon mësimdhënies, por edhe sa i takon problemit social që filloi të shfaqej tek të gjithë fëmijët, tek të gjithë moshat. Shkolla përveç pjesës së edukimit dhe arsimimit, natyrisht ka edhe një rol shumë të rëndësishëm edhe për pjesën sociale që fëmijët rrinë me njëri-tjetrin, komunikojnë me njëri-tjetrin, me mësuesit, janë të gjithë elementë shumë të rëndësishëm për formimin e nxënësve”, theksoi ministrja Kushi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.