Krijohet për herë të parë sistemi i manaxhimit të informacionit në rrjetin penitenciar/ Gjonaj: Kontroll në kohë reale

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Ministria e Drejtësisë ka krijuar për herë të parë Sistemin e Menaxhimit të Informacionit në Rrjetin Penitenciar (MISP), i cili do të shërbejë për të menaxhuar të gjitha të dhënat e personave të paraburgosur dhe burgosur, që nga momenti i pranimit në IEVP deri në lirimin e tij.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se, “qëllimi i sistemit është njohja e gjendjes së të dënuarve dhe të çdo informacioni tjetër në mënyrë të plotë dhe në kohë reale në gjithë vendin”.

Gjonaj theksoi se, “të gjitha IEVP-të janë të kontrolluara në kohë reale nga DPB dhe MD, gjë e cila bën të mundur monitorimin jo vetëm të transferimeve, kushtet e trajtimit dhe problematikat e çdo të dënuari brenda IEVP-së, por dhe stafin në plotësimin e detyrave të tij”.

Sipas ministres Gjonaj, “me anë të këtij sistemi u bë e mundur që të kemi një databazë të plotë për rreth 4983 të burgosur aktualisht”.

“Në këtë sistem gjendet informacion për rreth 53000 të burgosurit nga viti 1947 deri në 2020”, theksoi Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.