Hartimi i listave të PD/ Shehi: E pafalshme që Berisha të ndërhynte në këtë moment, marrëveshje me Bashën për të hyrë në Kuvend

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi u shpreh sot se në kampin opozitar ka një marrëveshje parimore që në momentin e daljes nga Parlamenti se secili prej aleatëve që doli, do të jetë sërish në Kuvend.

Në një intervistë televizive kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, thotë se vetë do të kandidojë në Tiranë.

“Ne e kemi mbyllur këtë marrëveshje në princip, jo sot, por ka një vit e ca. 5 kryetarët e partive kemi firmosur në një krah, Basha në krahun tjetër, që siç dolëm nga parlamenti do jemi në parlament. Tani negociata kemi bërë. Unë do të jem në Tiranë”, tha Shehi.

Ai u shpreh se, “këtu mund të ketë ndonjë problem PD me LSI-në në kuptimin nëse do hyjnë me një listë apo do hyhet me dy lista veç e veç. Ky është i vetmi problem që ka sot brenda opozitës”.

Shehi i bëri thirrje edhe kryetarëve të tjerë të partive opozitare, por që kundërshtojnë Lulzim Bashën, që t’i bashkohen PD-së.

“Unë i bëj thirrje përditë edhe Topallit, edhe Patozit, edhe Topit, të vijnë t’i bashkohen grupit të madh opozitar”, vijoi kreu i LZHK-së.

Shehi dha një mesazh edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe rolin që duhet të luajë ai në këto zgjedhje dhe në lidhje me hartimin e listave.

“Unë gjykoj që Sali Berisha është një burrë serioz, ka eksperiencë të gjatë politike. I ka bërë edhe gabimet e veta, ka mësuar nga ato punë. Unë jam i sigurtë, jam i qetë, që Sali Berisha në këtë çështje nuk ngatërrohet. Në raport jo thjesht me aleatët, por edhe me listat e Bashës. Sepse mirë apo keq, Basha qoftë edhe formalisht ka 8 vjet në krye të PD. Dhe do ishte e pafalshme për Berishën që të ndërhynte në këtë moment. Edhe unë besoj se nga pragmatizmi që ka Berisha, nuk besoj që ngatërrohet në këtë lloj teme. Unë do të isha shumë i lumtur sikur të vazhdonte të kontribuonte, të këshillonte, të merrte rolin e të urtit, siç marrin kur vjen një moshë e caktuar”, u shpreh Shehi./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.