Hapet aplikimet në programin e bursave për studime pasuniversitare në bujqësi në Hungari

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, qeveria hungareze dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO) çelën programin e bursave dyvjeçare për profesionistët e rinj për studime pasuniversitare në disiplina të lidhura me bujqësinë për studentët nga vendet në zhvillim dhe me të ardhura mesatare.

Studentët që do bëhen pjesë e programit do të ndjekin studimet në Universitetin e njohur hungarez Szent István, në module si menaxhimi i integruar i ujërave, mbrojtjen e bimëve ose prodhimin e kulturave bujqësore.

Tē rinjtë shqiptarë, të cilët banojnë në vendin e tyre, kanë të drejtë të aplikojnë për programin e bursave mbështetur nga FAO dhe qeveria hungareze.

Bursa mbulon tarifat e aplikimit dhe shkollimit, librat, akomodimin në konvikt, kostot e jetesës dhe sigurimin shëndetësor.

Nga program i bursave FAO-Hungari kanë përfituar mbi 350 studentë, të cilët janë kthyer në vendet e tyre të lindjes, më të përgatitur profesionialisht dhe me mundësi më të mira në tregun e punës. Përmes programit studentët kanë qasje në një rrjet profesional global me studiues dhe akademikë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.