Gjykata jep masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-sanitaren Tire Alldervishi

TIRANË, 14 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Tire Alldervishi, ish-sanitarja e Qendrës Spitalore “Shefqet Ndroqi” apo spitalit COVID 2, do të vijojë të qëndrojë në qeli, ndërsa do të vijojë të hetohet për akuzën “mashtrim me pasoja të rënda”.

Mëngjesin e së enjtes, gjyqtarja Rexhina Merlika, pasi ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë “Arrest me Burg” dhe pasi dëgjoi palën mbrojtëse, komunikoi vendimin për të pranuar kërkesën e organit të akuzës, duke lënë në qeli, ish-sanitaren e spitalit COVID 2, e cila akuzohet se ka mashtruar një qytetare, duke u hequr si infermiere, me qëllim për t’i marrë para, me pretendimin se do të kujdesej për nënën e saj të shtruar në spital.

Gjyqtarja Merlika ndërsa jepte vendimin shtoi se kjo masë sigurie me burg ishte padyshim e duhur për një rast të tillë abuzimi në raport me situatën që qytetarët shqiptarë, por dhe gjithë bota po jeton. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.