TIRANË, 14 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Forcat e Armatosura Shqiptare janë faktor stabiliteti, paqeje dhe sigurie kudo ato shërbejnë anembanë globit.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehet krenar për punën që po zhvillojnë FA-të në angazhimin e tyre në NATO, në misionin paqeruajtës në Gjirin Persik, dhe Ngushticën e Hormuzit, kundër veprimtarive të paligjshme të Iranit.
“Krenar për vlerësimin e trupave shqiptarë kudo ku ata shërbejnë anembanë globit! Falënderimi nga sekretari Pompeo konfirmon rolin e vendit tonë si një faktor stabiliteti, paqeje dhe sigurie, jo vetëm në rajon, por edhe në botë”, deklaron Peleshi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar kontributin e Forcave të Armatosura Shqiptare në rritjen e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin Persik, nga veprimet e paligjshme të Iranit.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo, në një publikim në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, ka falenderuar Shqipërinë dhe vendet e tjera që marrin pjesë në garantimin e sigurisë në zonën e Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit.
“Faleminderit Bahrein, Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri, Lituani, Australi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite për mbrojtjen e një prej linjave më të rëndësishme të transportit detar në botë nga piratët iranianë të Hormuzit”, është mesazhi i publikuar nga Michale R. Pompeo, Sekretari Amerikan i Shtetit. /j.p/r.e/
Thank you Bahrain, UK, Albania, Lithuania, Australia, UAE & KSA for protecting one of the world’s most critical shipping lanes from Iranian #PiratesOfHormuz. pic.twitter.com/gzGCeT9B1q
— Secretary Pompeo (@SecPompeo) January 13, 2021