Fiskalizimi/ Portali HelpDesk sesione të dedikuara për çdo problematikë, përgjigje në 24 orë

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Për çdo paqartësi që biznesi mund të hasë gjatë zbatimit të procesit të Fiskalizimit, Administrata Tatimore do të ofrojë ndihmë përmes portalit HelpDesk brenda 24 orëve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se ky portal u krijua për të qenë pranë sipërmarrjes gjatë implementimit të procesit të Fiskalizimit.

“Për një proces më të lehtë të Fiskalizimit dhe për të qënë pranë qytetarëve dhe bizneseve me pyetjet dhe problematikat, kemi krijuar Portalin HelpDesk. Ky është një portal i thjeshtë në përdorim, me sesione të dedikuara për çdo problematikë. Administrata Tatimore do të ofrojë përgjigje për pyetjet e shumta në 24 orë”, tha ajo.

Prej datës 1 janar, faturat që lëshohen për entet publike/shtetërore duhet të jenë fatura elektronike, të cilat shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave.

Ky është hapi i parë i përshtatjes me një sistem novator, që lehtëson dhe përshpejton proceset e punës dhe komunikimin me Administratën Tatimore.

Më datë 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Më datë 1 shtator 2021 do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

Fiskalizimi i faturave ka efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e Republikës së Shqipërisë, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.

Efekti që pritet që fiskalizimi të japë është ulja e informalitetit, por edhe rritja e eficiencës së administratës tatimore, pasi për herë të parë Administrata Tatimore do të ketë në sistemet e veta të gjitha faturat që lëshohen drejt subjekteve dhe të gjitha elementet e faturës. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.