TIRANË, 14 janar/ATSH/ Reforma e Fiskalizimit krijon një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë.
Sistemi i ri i mundëson çdo qytetari të verifikojë menjëherë pas lëshimit të faturës, nëse ajo është raportuar në sistemin tatimor qendror.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj deklaroi se ky sistem synon modernizimin e Administratës Tatimore.
“Fiskalizimi synon uljen e nivelit të informalitetit duke rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, rritjen e eficiencës së administratës tatimore, si dhe lehtësimin e procedurave për përmbushjen e detyrimeve tatimore. Po ashtu, synon minimizimin e kontrolleve fizike tek tatimpaguesi, pasi metodologjia e re do të mbështetet kryesisht në kontrollin nga zyra nëpërmjet të cilit do të arrihet të monitorohet një numër më i madh tatimpaguesish me risk të identifikuar nga rregullat e modulit të riskut”, tha Ibrahimaj.
Prej datës 1 janar, faturat që lëshohen për entet publike/shtetërore duhet të jenë fatura elektronike, të cilat shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave.
Ky është hapi i parë i përshtatjes me një sistem novator, që lehtëson dhe përshpejton proceset e punës dhe komunikimin me Administratën Tatimore.
Më datë 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Më datë 1 shtator 2021 do të nis për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.
Fiskalizimi i faturave ka efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e Republikës së Shqipërisë, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.
Efekti që pritet që fiskalizimi të japë është ulja e informalitetit, por edhe rritja e eficiencës së administratës tatimore, pasi për herë të parë Administrata Tatimore do të ketë në sistemet e veta të gjitha faturat që lëshohen drejt subjekteve, dhe të gjitha elementet e faturës. /j.p/r.e/