Fiskalizimi/ 2 948 biznese janë pajisur me certifikatë elektronike

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Që prej 1 janarit kur nisi zbatimin procesi i Fiskalizimit, 351 ente publike janë fiskalizuar në të gjithë vendin, ku vetëm në qarkun e Tiranës janë 182.

Ndërsa, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, deri tani numri i bizneseve që është pajisur me certifikatë elektronike në gjithë vendin është 2948, ndër to 1407 në Tiranë.

Në total llogariten 7600 biznese që nisin prej 1 janarit zbatimin e sistemit të ri të lëshimit të faturave tatimore, të njohur si fiskalizimi.

Subjektet në marrëdhënie me shtetin do të lëshojnë fatura elektronike, duke përdorur softwerin e instaluar në pajisjen e tyre kompjuterike, telefon apo tabletë. Faturat elektronike do të shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave.

Kjo është faza e parë e procesit të fiskalizimit, ndërkohë në korrik 2021 do fillojë lëshimi i faturave elektronike biznes me biznes dhe në 1 shtator biznes me konsumator.

Me implementimin e këtij sistemi çdo transaksion do të regjistrohet në kohë reale duke i dhënë mundësinë administratës që të identifikojë më shpejt rastet e abuzimeve.

Për një periudhë tranzitore nuk do të ketë masa ndëshkuese për subjektet që nuk e kanë blerë softwerin dhe se do të kenë mundësinë të përdorin portalin SelfCare, nëpërmjet të cilit do të lëshojnë faturat për entet publike. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.