Dialogu me Serbinë/ Hoti: Bazë janë Kushtetuta, territori dhe njohja reciproke

PRISHTINË, 14 janar/ATSH/- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti deklaron se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, duhet të përfshijë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Hoti thekson se  në dialog me Serbinë ka hyr mbi parime të qarta, parime të cilat i ka renditur në reagimin e tij.

Kryeministri në detyrë thekson se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe se nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive.

“ Lidhur me qasjen time dhe të Qeverisë e Republikës së Kosovës në raport me procesin e dialogut po thuhen gjëra të pavërteta, prandaj dua të sqaroj se ne kemi hyrë në dialog me Serbinë mbi parime të qarta.  Udhërrëfyes ka qenë dhe mbetet Kushtetuta e Kosovës. Integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm. Organizimi kushtetues i Kosovës nuk preket. Nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Këto parime janë mbështetur edhe nga partnerët tanë. Nuk do të ketë lëvizje nga këto parime”, deklaroi ai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.