Çuçi pret ambasadorin Soreca: BE, partner i pazëvendësueshëm për integrimin

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi priti në një takim kreun e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadorin Luigi Soreca.

“Diskutuam për vijimin e bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në çështje të interesit të përbashkët që lidhen me rendin, sigurinë, migracionin, luftën kundër krimit të organizuar dhe ndihmën në kuadër të programit IPA III. Biseduam gjithashtu për punën përgatitore të zgjedhjeve të 25 prillit dhe angazhimin e Ministrisë së Brendshme në këtë proces. Bashkimi Europian mbetet një partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe anëtarësimin e plotë në union”, u shpreh Çuçi për këtë takim.

Ndërkohë, ambasadori Soreca duke u shprehur për takimin theksoi se, “BE është plotësisht e angazhuar për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, krimit financiar, migracionit, azilit dhe sundimit të ligjit nën IPA III dhe me ndihmën e agjencive të BE-së”.

Soreca shtoi se në takim u diskutua gjithashtu përgatitja e zgjedhjeve dhe puna e vazhdueshme nga Ministria e Brendshme për të siguruar saktësinë e listave të votuesve.

“Është urgjente që të gjithë shtetasit shqiptarë të rinovojnë pa vonesë dokumentet e tyre biometrike për të qenë në gjendje të votojnë më 25 prill 2021″, tha ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.