FOKUS – Trump presidenti i parë amerikan me dy ”impeachment”

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-AA/ – Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi për fajësimin (”impeachment”) ndaj presidentit Donald Trump me një nen të vetëm, për nxitje të kryengritjes, duke e bërë atë presidentin e parë në historinë e vendit i cili fajësohet për herë të dytë në shtëpinë ligjvënëse.

Me 232 vota pro dhe 197 kundër, votimi tani e dërgon çështjen në Senat për një gjyq që pritet të fillojë jo më shpejt se 19 janari.

Dhjetë republikanë ndanë rrugët me presidentin e tyre me mbështetjen e dhënë për largimin e tij nga posti.

Kjo paraqet një dallim të madh nga fajësimi i parë ndaj Trumpit, kur republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve refuzuan në mënyrë unanime rrëzimin e tij.

Këtë herë, ligjvënësit amerikanë votuan mbi një nen të vetëm të fajësimit, që akuzon Trumpin për përpjekje për të nxitur kryengritje, për shkak të rolit në bastisjen e ndërtesës së Kongresit javën e kaluar.

Pesë persona humbën jetën pasi mbështetësit e presidentit amerikan rrethuan ndërtesën e Kongresit në Uashington, duke tejkaluar policinë për të hyrë brenda përmes dyerve dhe dritareve të thyera.

Midis të vdekurve ishte edhe oficeri i policisë, Brian Sicknick.

Siguria në kryeqytetin e vendit ka arritur nivelet historike përpara ceremonisë së betimit  të Bidenit më 20 janar.

Rreth 20 000 trupa të Gardës Kombëtare pritet të jenë të pranishëm në Uashington për ngjarjen. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.