50% subvencionim për rinovimin e anijeve/ Ekonomi për ATSH-në: Peshkatarët aplikojnë deri në fund të janarit

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Peshkatarët aplikojnë deri në 31 janar 2021, për të përfituar grante të financuara nga BE-ja, për investime që modernizojnë flotën shqiptare të peshkimit, përmirësojnë kushtet e sigurisë në det, ruajtjen dhe trajtimin e produktit si dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi në një intervistë për ATSH-në, tha se “qeveria shqiptare dhe BE, kanë adresuar një grant me vlerë 1.5 milion euro për subvencionimin me 50 % të peshkatarëve, për shpenzimet për rinovimin e anijeve të peshkimit dhe aplikimet për të përfituar nga ky grant, janë çelur më 15 dhjetor të viti 2020”.

Ekonomi i bëri thirrje individëve dhe kompanive që ushtrojnë aktivitet në fushën e peshkimit detar të aplikojnë deri në fund të këtij muaji.

Sipas saj, mbështetja financiare për këtë sektor, pason një sërë lehtësish fiskale që ka  marrë qeveria vitet e fundit, specifikisht për peshkimin.

“Përjashtimi i naftës së peshkimit nga taksat, heqja e TVSH-së për materialet e peshkimit, si dhe investimet në infrastrukturë, janë ndërhyrjet e duhura që kanë dhënë rezultate në këtë sektor”, – tha Ekonomi për ATSH-në.

Peshkimi është një nga sektorët me kontribut në rritjen në ekonominë e vendit. Në gjysmën e parë të vitit 2020, eksportet u rritën me 24.5 % kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, buxheti 2021 për peshkimin, shënon rritjen më të madhe krahasuar me programet e tjerë me plot 201% dhe adreson investime për kantieret e rindërtimit të 3 porteve të peshkimit në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin me financim nga kredia italiane prej 25 milionë euro.

Ministrja Ekonomi u shpreh se, mbështetja do të vijojë edhe për ngritjen e infrastrukturës së merkatove të peshkimit. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.