3 skenarë për vaksinimin antiCOVID/ Rama: Duam të jemi ambiciozë, ta mbyllim procesin brenda 14 muajsh

TIRANË, 14 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se janë parashikuar 3 skenarë për vaksinimin antiCovid të popullatës, ku në skenarin e parë parashikohet vaksinimi brenda 14 muajsh, në skenarin e dytë brenda 18 muajsh dhe në skenarin e  tretë brenda 24 muajsh.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “faktikisht kjo përkon me skenarët e vendeve më të zhvilluara”.

“Spanja dje deklaroi se do ta mbyllë vaksinimin në vitin 2024. Ne duam të jemi ambiciozë dhe gjithë procesin ta mbyllim brenda 14 muajve, duke pasur parasysh një gjë që kemi përafërsisht 2.2 milionë shqiptarë që duhet të vaksinohen. Ata nën 16 vjeç nuk hyjnë në procesin e vaksinimit sot për sot”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne në bazë të këtij plani jemi absolutisht të vendosur që duke ecur me shpejtësi të këpusim sa më shumë hallka nga zinxhiri i infeksionit”.

“Vaksinimi ka efekt te personi dhe komuniteti, pasi çdo person që imunizohet shkëput edhe zinxhirin e infeksionit”, tha Rama.

Duke folur për kontratën me “Pfizer” e cila pritet të kalojë në parlament, Rama tha se “mbulimi i kontratës është i lidhur me procesin e finalizimit të saj”.

“Kontrata u hartua mbi bazën e një marrëveshje të shkruar konfidenciale ku qeveria shqiptare është angazhuar financiarisht, ndërsa ‘Pfizer’ për sasitë e vaksinave. Nga kjo fazë deri në miratimin e kontratës ka një proces. Deri në fund të procesit kjo kontratë do të jetë konfidenciale”, tha Rama.

Ndërkohë Kryeministri iu përgjigj edhe pretendimeve se 975 dozat e para kanë mbërritur dorazi në Shqipëri.

“Nuk e di ç’domethënë dorazi, se unë nuk di të ketë ndonjë dorë aq të gjatë sa të shtrihet matanë kufijve dhe t’i lëshojë vaksinat në Shqipëri. Në Shqipëri vaksinat kanë ardhur siç kanë vajtur kudo me mjetin e transportit, me të gjitha kushtet e transportit dhe kanë qenë të shoqëruara deri sa kanë mbërritur në Shqipëri nga njësi speciale sigurie. Janë marrë në dorë nga autoritetet tona dhe njësi speciale sigurie”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se nga pikëpamja e logjistikës dhe modalitetet e transportit vaksinat në Shqipëri kanë ardhur siç kanë shkuar në çdo vend të botës.

“Kanë ardhur nga një vend i BE-së, emrin e të cilit nuk mund ta them, sepse na është kërkuar konfidencialitet i plotë nga ana e atij vendi për arsye të vetat, që kanë të bëjnë me faktin se vendet e BE-së dhe ai vetë janë të rrethuar nga shtete jo anëtare, jo vetëm të rajonit tonë, që kërkojnë vaksina. Kjo ka qenë një dhuratë për Shqipërinë të cilën unë e kam kërkuar si lypësi më i dalluar nga të gjithë ata që kanë kërkuar për vendet e tyre”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne jetojmë në një kohë në këto kushte kaq të ngatërruara, të jashtëzakonshme, të panjohura më parë për botën, ku vaksinat janë bërë si buka, nafta e ari, në kohën e krizës”.

“Faktikisht nën rrogoz zhvillohen negociata dhe bisedime nga të 4 anët mes të gjitha palëve sepse një pjesë, që janë vendet e BE, apo SHBA, apo disa vende të tjera janë më të mbuluar. Një pjesë tjetër janë zbuluar. Faktikisht, rajoni ynë është lënë zbuluar se nuk është përfshirë në skemën e shpërndarjes së parë të BE-së, ndërkohë që ne kemi parapaguar për COVAX dhe presim. Sot janë një sërë vendesh në rajonin tonë që akoma se kanë filluar vaksinimin se po presin COVAX. Ne kemi bërë punën paralel. Kam shkuar në Nju-Jork, jam takuar drejtpërdrejt me numrin 1 të ‘Pfizer’, i kam kërkuar me insistim të mos e lërë Shqipërinë jashtë dhe marrëveshja ka ardhur si rezultat i shumë lidhjeve, njohjeve, kontakteve”, tha Rama.

Faktikisht, vijoi ai, “sot ne kemi filluar vaksinimin për ata që janë në krye të frontit”. “Kemi garantuar një kontratë me Pfizer që në ditët në vijim do ta çojmë edhe në parlament sipas kërkesës së tyre. Kemi garantuar 500 mijë doza, 10 780 doza vijnë në janar dhe mbi 30 mijë në shkurt”, tha Rama.

/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.