Zinxhiri ftohës i vaksinave sipas standardeve të BE-së/ Rama: Me magazinën që gjetëm si depo kooperativash në QSUT, sot do ta kishim të pamundur

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në depon moderne farmaceutike që është ndërtuar për QSUT-në sipas standardeve të Bashkimit Europian, ku është ngritur edhe zinxhiri ftohës i vaksinave, si dhe në Institutin e Shëndetit Publik, ku ruhet aktualisht vaksina “Pfizer”.

Bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama pa nga afër funksionimin e zinxhirit ftohës të vaksinave, ku është investuar së fundmi nga qeveria.

“Me magazinën që gjetëm si depo kooperativash në QSUT-në e rrënuar të 7 viteve më parë, sot do ta kishim të pamundur të siguronim ruajtjen e vaksinave”, tha Rama.

Ministrja Manastirliu informoi se në depon farmaceutike të QSUT-së kemi dhomat frigoriferike, ku janë instaluar edhe frigoriferët -70 gradë.

“Aktualisht vaksinat e para janë në ISHP, ku ruhen në kushte të standardeve ultra të ftohta, -70 apo -80 gradë celsius. Në tërësinë tyre kapacitetet aktuale për temperaturën -70 gradë janë për 280 mijë doza vaksina në mënyrë të menjëhershme, për vaksinën ‘Pfizer’. Për atë të ‘Modernës’ që ruhet në -20 gradë kemi kapacitete për të pritur 950 mijë doza njëkohësisht, ndërsa për sa i përket kapaciteteve frigoriferike për vaksina të llojeve të tjera që kërkojnë 2-8 gradë celsius kemi kapacitete për të pritur 7 milionë doza”, tha ministrja.

Ajo theksoi se “kjo nuk është e vetmja depo që kemi, sepse kemi në ISHP, ku aktualisht pritet rrjeti i vaksinave ‘Pfizer’, por edhe tek Agjencia e Barnave, investim i qeverisë që ka përfunduar pak kohë më parë”.

Ajo tha se frigoriferët janë të sigurt dhe depot farmaceutike ruhen nga kamera dhe kanë të gjithë elementët e sigurisë.

Ministrja tha se “nëse ne nuk do ta kishim të ngritur këtë rrjet ftohës do të ishte e vështirë, sepse do të na duhej të bënim një investim shumë të shpejtë”.

Ndëkohë Rama vizitoi edhe depon e ISHP-së, ku vaksinat e “Pfizer” aktualisht i ruan policia.

Ministrja theksoi se “kemi përmirësuar dhe rinovuar gjithë zinxhirin ftohës edhe në qendrat shëndetësore në kuadër të programit kombëtar të vaksinimit, ku vjet janë investuar në kuadër të një zinxhiri ftohës”.

“Këtu në këtë frigorifer mund të ruhen deri në 50 mijë doza vaksine në kushte optimale.
Paketimi i vaksinave ‘Pfizer’ është shumë i vogël dhe ruajtja është në kushte optimale. Te stadiumi Air Albania çohen çdo ditë aq vaksina, sa bëhen në ditë”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.