Veliaj: Basha do mbahet mend për barsoletën e tramit, politika jonë është shpresa

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ironizoi sot kreun demokrat Lulzim Basha duke deklaruar se ai do të mbahet mend për barsoletën e tramit.

Nga njësia Nr. 9 në kryeqytet ku zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të zonës, Veliaj nënvizoi se mazhoranca përfaqëson politikën e shpresës dhe të punës.

“Dhe në PD ata tallen e tregojnë barsoleta e thonë ky i tramit do na sjellë ne fitoren. Tramin e pamë ne sesi përfundoi, është bërë barsoletë brenda partisë së tyre. Si mund të mbahesh mend për barsoletën e tramit dhe të mos kesh lënë një gozhdë të ngulur në këtë qytet?! Ne përfaqësojmë një strategji që është injektimi i shpresës, ne na hanë duart për punë dhe politika jonë është shpresa”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se 2021 do të jetë viti i rimëkëmbjes. Ai akuzoi Bashën se u vendos gjoba bizneseve dhe sapo merr prej tyre vila apo makina, i mbyll protestat e nisura.

“Të marrë vilat dhe për të vënë gjobat ai nuk ngatërron matematikën. Nis protestat me Rrugën e Kombit dhe i lë përgjysmë, nis te Astiri, sa i blejnë ndonjë makinë e lë përgjysmë. Kur vjen makina e lë protestën në mes. I ke parë këto kullat, 2 ditë e bëjnë atë, sa marrin likuidimin, nuk i bien më kullave”, deklaroi Veliaj.

Ai bëri të ditur se falë investimeve, jo vetëm që këto lagje nuk vuajnë më nga përmbytjet, por dhe vlera e pronës në njësinë Nr. 9 është rritur. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.