Taksa progresive/ Denaj: 97% e shqiptarëve paguajnë më pak

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha sot se “për 97 % të shqiptarëve është ulur barra fiskale, falë filozofisë së ndjekur nga qeveria me vendosjen e taksës progresive për të taksuar më pak ata që fitojnë më pak”.

Në një intervistë televizive ministrja Denaj theksoi se “po fillojmë me vitin 2013, meqenëse vlen të shkojmë në histori dhe të kujtojmë që politika e taksimit progresiv ka qenë një politikë e komunikimit edhe përpara marrjes së votëbesimit”.

“Diskutimi kush fiton më shumë paguan më shumë, kush siguron të ardhura më pak, paguan më pak, sot është një fakt për 97 % të shqiptarëve, sepse duhet të përqendrohemi tek struktura e shpërndarjes së numrit të personave të punësuar sipas kategorive të pagave. Në pjesën më të madhe numri i të punësuarve shkon për një kategori më të ulët të deklarimit të të ardhurave personale dhe nëse kthehemi dhe krahasojmë taksën e sheshtë 10 % që ishte për të gjitha kategoritë, si atë me 25 mijë lekë, 30 mijë lekë e më lart, ne vendosëm në 2013 një taksë progresive, që për të gjitha pagat deri në 30 mijë lekë ishte zero lekë”, – nënvizoi Denaj.

Sigurisht, vijoi Denaj, patëm dy fasha të tjera, një fashë të rishikuar në vitin 2018, fashën nga 30 mijë deri në 130 mijë ne e zgjeruam në 2018 në 150 mijë, pra bëmë një rishikim për të zgjeruar numrin e personave që përfitonin nga ky zgjerim fashe.

“Nëse marrim një shembull të thjeshtë një pagë mesatare 80 mijë lekë, nëse i zbresim 30 mijë lekëshin në fakt personat do të paguanin 13 % mbi 50 mijëshen dhe është shumë pak se 10 % mbi 80 mijëshen. Pra për të dhënë me shembull konkret që për paga mesatare dhe në nivelin e 80 mijë, përtej faktit që numri më i madh i të punësuarve janë me kategorinë me më pak se 100 mijë lekë të ardhura mujore, 97% e shqiptarëve kanë ulur barrën fiskale të tyre në përditshmërinë apo përmujorshmërinë”, – theksoi Denaj.

Premtimin elektoral të opozitës për taksën e sheshtë 9 %, ministrja Denaj e konsideroi një kopje të taksës progresive të implementuar nga qeveria.

“Nëse flasim me shifra konkrete për personat që kanë një pagë të deklaruar tek 34 mijë lekë, diferenca midis çfarë paguajnë sot me çfarë do të paguajnë me taksën 9 % është vetëm 160 lekë. Diferenca është vetëm një kafe, por rroga 300 mijë lekë do të marrë një fitim më të madh. Në këtë logjikë duhet që opozita të jetë transparente”, – tha Denaj.

Ministrja Denaj u shpreh se “përfitimin më të madh e kanë personat me të ardhura më të larta nga taksa e sheshtë 9 % e Partisë Demokratike”.

“I gjithë efekti do të ishte 10.8 miliardë lekë në këtë taksë. 97 % e shqiptarëve e kanë taksën më të ulët sesa ishte”, tha Denaj./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.