Shpiket byzylyku me biosensorë që njeh gjestet e duarve

BRUKSEL, 13 janar /ATSH-ANSA/ – Një grup ndërkombëtar studiuesish kanë krijuar një byzylyk që mund të njohë menjëherë gjestet e duarve, duke ”lexuar” sinjalet që udhëtojnë nga truri përmes parakrahut.

Pajisja jo vetëm që mund të përdoret për të kontrolluar protezat artificiale, por gjithashtu hap rrugën për krijimin e ndërfaqeve të reja për ndërveprimin midis njerëzve dhe makinerive: nga kompjuterat pa tastierë te makinat pa timon.

Studimi buron nga një bashkëpunim midis studiuesve nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley (SHBA), Universiteti Politeknik i Cyrihut (Zvicër) dhe Universiteti i Bolonjës dhe rezultatet janë botuar në ”Nature Electronics”.

“Pajisja që bëmë lidh teknologjinë e biosensorit që mund të vishet me algoritmet e inteligjencës artificiale: në këtë mënyrë sistemi është në gjendje të njohë deri në 21 sinjale të ndryshme dore”, shpjegoi Simone Benatti, studiuese në Departamentin e Inxhinierisë së Energjisë, ”Guglielmo Marconi”’ të Universitetit të Bolonjës.

Pasi të njihen, këto sinjale përpunohen më pas nga një platformë me konsum të ulët, e cila, përmes algoritmeve të inteligjencës artificiale, është në gjendje t’i shoqërojë ato me gjeste specifike të duarve. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.