Servituti për interes publik/ 185.2 milionë lekë për pronarët që preken nga ndërtimi i korridorit të gazsjellësit TAP

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në vendimin “Për marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit të kalimit për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i korridorit të kalimit të gazsjellësit TAP”.

Sipas këtyre ndryshimeve, pronarët e pasurive të paluajtshme, të cilat merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti për interes publik, do të kompensohen në vlerë të plotë, për sipërfaqen 473 469 m2, e cila merret në përdorim të përkohshëm, dhe për sipërfaqen 101 467.49 m2, mbi të cilën vendoset servituti, me një vlerë të përgjithshme prej 185 206 219.06 lekësh.

Vendimi parashikon që vlera e përgjithshme, prej 185 206 219.06 lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale, përfshirë edhe ato shtesë prej 50 000 lekësh do të përballohen nga shoqëria “TAP AG”, si subjekti kërkues i kësaj procedure.”.

Për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “TAP AG”, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore, përkatësisht: Korçë, Devoll, Berat, Fier dhe Lushnjë, për zbatimin e këtij vendimi./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.