TIRANË, 13 janar/ATSH/ Bizneset e kanë kuptuar rëndësinë e patentës dhe certifikimit të patentës brenda standardeve ligjore që njihen botërisht. Certifikimi i patentës e bën më të lehtë shitjen e produkteve dhe e bën produktin “Made in Albania” jo vetëm të ketë vlerë në treg, por i rrit prestigjin edhe Shqipërisë.
Viti 2020 shënoi një rritje të numrit të aplikimeve për regjistrim marke nga subjektet shqiptare.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se gjatë vitit 2020 u lëshuan 1115 certifikata për marka kombëtare.
Kjo rritje e konsiderueshme sipas ministres, ka ardhur si rezultat i fushatës ndërgjegjësuese të ndërmarrë prej Drejtorisë së Pronësisë Industriale.
“Me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale, kemi qenë pranë bizneseve për t’i informuar dhe ndihmuar në mbrojtjen e punës së tyre të palodhur. Në vitin 2020 kemi lëshuar 1115 çertifikata për marka kombëtare”, u shpreh Denaj.
Ndërkohë aplikuan për certifikatë për markë kombëtare 1164 subjekte. /j.p/r.e/