TIRANË, 13 janar /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se “80 mijë biznese të vogla përfituan nga paketat e ndihmës financiare të drejtëpërdrejtë në kushtet e vështira të ekonomisë nga pandemia”.
Në një intervistë televizive, Denaj theksoi se mbështetja e qeverisë në këtë vit pandemie u fokusua në incientiva fiskale dhe politike fiskale lehtësuese.
Sipas saj incentivat fiskal që ndërmori qeveria në ndihmë të biznesit sollën një boshllëk prej 19 miliardë lekë në buxhetit e shtetit.
Ndërsa sektori bankar vijoi ajo, i erdhi në ndihmë individëve dhe biznesit në vështirësi financiare duke shtyrë për një periudhë 6-mujore shlyerjen e kësteve të kredisë.
“BSH ka miratuar sot shtyrjen edhe për një periudhe 3-mujore të ristrukturimit të kredisë për biznese në vështirësi financiare në kushtet e pandemisë dhe ky është një tjetër lajm i mirë”- theksoi Denaj.
“Gjithashtu për nevojat e sipërmarrjes në procesin e rimëkëmbjes pas goditjes prej pandemisë, qeveria së bashku me bankat e nivelit të dytë, zbatoi 2 instrumente të garancisë sovrane, që ndihmoj për rritjen e likujditetit financiar”, u shpreh ministrja. /a.a/