Linja 110 kV me Bushatin e Velipojën/ Shpronësohen pronarët që preken nga projekti

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot fondin prej 323 460 lekësh për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme pronë private, që preken nga projekti “Linja 110 kV me dy qarqe nënstacioni Bushat dhe nënstacioni Velipojë”.

Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a dhe vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 323 460 lekësh do të përballohet nga OSHEE.

Ndërsa vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 lekë do të përballohet nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, do të kompensohen pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në zyrat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të OSHEE, sh.a.

Po ashtu pezullohen të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të OSHEE, sh.a. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.