Investimet në infrastrukturën e kullimit dhe argjinaturat, rol thelbësor në përballimin e fryrjes së lumenjve

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Vendi ynë u përfshi nga reshje të dendura të shiut përgjatë 10 ditëve të fundit, por investimet e kryera në këto vite në infrastrukturën e kullimit dhe argjinaturat luajtën një rol thelbësor në përballimin e daljes së ujit nga sipërfaqja.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi sot Vlorën, ku pa nga afër gjendjen që paraqitet përgjatë lumit Vjosë.

Ekonomi shoqërohej nga drejtori i përgjithshëm i Politikave të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, Irfan Tarelli dhe përfaqësues të drejtorisë rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve.

“Kemi monitoruar hap pas hapi situatën në të gjithë vendin. Konstatoj që infrastruktura jonë e kullimit dhe argjinaturat kanë luajtur një rol thelbësor në përballimin e daljes së ujit nga sipërfaqja”, tha ministrja.

Ekonomi u shpreh se të gjitha strukturat janë në terren dhe “mbetemi të angazhuar maksimalisht dhe në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo situatë“.

Në Shkodër, ku situata paraqitej më problematike për shkak të reshjeve të shumta, MBZHR ka nisur shëpërndarjen e bazës ushqimore për bagëtinë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.