Identifikimi biometrik i votuesve/ KQZ në fazën e vlerësimit të ofertës dhe zgjidhjes teknike

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e vlerësimit të ofertës ekonomike dhe të zgjidhjes teknike që ka ofruar operatori ekonomik “Smartmatic”, sa i përket procesit të identifikimit biometrik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka dërguar partive politike një shkresë me informacion në lidhje me procedurat e ndjekura nga KQZ për prokurimin e sistemeve/pajisjeve të teknologjisë së informacionit për identifikimin biometrik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor.

Në shkresën e publikuar nga KQZ thuhet se, “vetëm 6 kompani kishin përfunduar procesin e regjistrimit në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik. Për rrjedhojë vetëm këto kompani morën ftesën për pjesëmarrje në procedurën prokuruese”.

“Data 5 janar ishte afati i fundit për paraqitjen e ofertës nga këto 6 kompani të ftuara për të prezntuar ofertën e tyre”, thekson KQZ.

KQZ shton se, “rezultoi se vetëm kompania “Smartmatic” kishte dorëzuar dokumentacionin e kërkuar në sistem, si dhe paraqiti brenda afatit të vendosur nga Autoriteti Kontraktor pajisjen/mostrën “demo”-n e kërkuar”.

“Aktualisht KQZ është në fazën e vlerësimit të ofertës ekonomike dhe të zgjidhjes teknike që ka ofruar operatori ekonomik ‘Smartmatic”, thekson KQZ në shkresën drejtuar partive politike.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.