Hapat që duhet të ndjekin bizneset për të ndryshuar regjimin e TVSH-së

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Prej datës 1 janar subjektet që kanë qarkullim vjetor nën 10 milionë lekë kanë dalë nga skema e TVSH-së.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi sot tatimpaguesit që plotësojnë kushtet për të mos qenë pjesë e skemës së TVSH-së, mbi hapat që duhet të ndjekin për të ndryshuar regjimin e TVSH-së, si dhe për t’u pajisur me bllok faturash të thjeshta tatimore Model 4.

“Të gjithë tatimpaguesit, të cilët në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 576 datë 22.7.2020, plotësojnë kushtet për të mos qenë pjesë e skemës së TVSH-së, se duhet të paraqiten pranë shoqërive me të cilat kanë kontraktuar shërbimin për mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale ekzsituese, për të ndryshuar regjimin e TVSH-së dhe pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, për t’u pajisur me bllok faturash të thjeshta tatimore Model 4”, informon DPT.

Si alternativë, të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me para në dorë dhe përmbushin njëkohësisht kushtet e pikës 1 të VKM nr. 220 datë 12.03.2020 “Për përcaktimin e kategorisë së tatimpaguesve dhe të kritereve të përdorimit të procedurës së thjeshtëzuar të fiskalizimit’, i ndryshuar, mund të përdorin platformën SelfCare, e cila është pa pagesë, pa pasur nevojë të përdorin dhe të mirëmbajnë pajisjet fiskale ekzistuese.

DPT ka përcaktur edhe kushtet për përdorimin e platformës SelfCare për shitje me para në dorë, që duhet të përmbushen nga tatimpaguesit.

Sipas DPT, tatipaguesit nuk duhet të jenë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, duhet të kenë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, nuk duhet të kenë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, si dhe duhet të kenë statusin ligjor “person fizik” dhe kategorinë e punësimit “i vetëpunësuar i vetëm”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.