Fushë kompostimi në Cërrik/ Klosi: Mbetjet që do të trajtohen në këtë fushë, sot hidhen në shtretërit e lumenjve dhe deteve

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Landfilli i ri për mbetjet organike në bashkinë Cërrik është drejt përfundimit.

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, përfaqësuesja e Ambasadës gjermane, Judith Hoffmann, kryetari i bashkisë së Cërrikut, Andis Salla, si dhe drejtues të projektit GIZ Albania inspektuan sot punimet në fushën e kompostimit të mbetjeve, të cilat pritet të përfundojnë në muajin prill.

“Për të pasur mundësinë që të bëjmë dhe në Shqipëri atë çfarë ndodh në gjithë botën, që riciklimi dhe riadministrimi i mbetjeve urbane bën të mundur që mbetjet të kthehen në një pasuri dhe jo në një problem për komunitetin. Është për t’u theksuar se sot këto mbetje që do të trajtohen në këtë lanfilld të mbetjeve organike, hidhen në shtratin e lumit dhe sa herë ka përmbytje, si ato të ditëve të fundit, ato pastaj shpërndahen në gjithë hapësirën e shtratit të lumit apo shkojnë deri në grykëderdhjen e lumenjve pranë deteve”, tha Klosi.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Cërrik, Andis Salla tha se ky është një ndër projektet me të mira si dhe falenderoi GIZ Albanian për bashkëpunimin.

Më tej, përfaqësuesja e Ambasadës gjermane, Judith Hoffman u shpreh se “Gjermania ka qenë një mbështetëse aktive në sektorin e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri prej vitesh dhe kjo është pjesë e kësaj asistence. Patjetër kompostimi është një hallkë thelbësore e hierarkisë së mbetjeve, është gjithmonë mirë të ripërdorësh dhe riciklosh mbetjet dhe të shmanget depozitimi në landfille. Ndaj përgëzoj të gjithë partnerët e përfshirë në nisjen e punimeve të këtij impianti kompostimi. Dhe, siç thashë, janë disa investime të tjera sektoriale që po mbështeten nga Gjermania në fushën e mbetjeve në të ardhmen”.

Sipas projektit është parashikuar që grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve të gardheve dhe fermave, si edhe mbetjet organike urbane, të cilat do të mblidhen nga bashkia në mënyrë të diferencuar, do të bëhet në këtë fushë kompostimi për t’u kthyer në pleh organik në sasinë rreth 800-1000 tonë në vit.

Vlera e këtij investimi, ndërtimit të fushës së kompostimit është rreth 80 mijë euro, pa llogatur këtu makineritë që janë blerë dhe do të blihen në vazhdim, trajnimin e punonjësve që do të operojnë në këtë fushë dhe ndërtimin e rrjetit, infrastrukturës sekondare që siguron grumbullimin e mbetjeve organike. Të gjitha këto me mbështetjen e GIZ.

z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.