TIRANË, 13 janar /ATSH/ Në disa akse rrugore të vendit kanë rinisur reshjet e dëborës gjatë orëve të mbrëmjes së sotme dhe grupet e punës janë në terren duke bërë mirëmbajtjen e këtyre rrugëve për të garantuar qarkullimin normal të automjeteve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se, “në akset rrugore Qafë Plloçë-Kapshticë, Pukë-Fushë Arrëz-Kukës dhe në Qafën e Llogorasë kanë nisur reshjet e dëborës. Kontraktorët me mjetet borëpastruese si dhe grupet e punonjësve ndodhen në terren për të garantuar qarkullimin e automjeteve pa problematika”.
ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në këto akse të respektojnë sinjalistikën rrugore.
“Ju bëjmë thirrje drejtuesve të automjeteve të cilët qarkullojnë në këto akse të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Kemi marrë të gjitha masat për të përballuar çfarëdolloj situate dhe për të mbajtur të hapura të gjitha akset rrugore në vend”, thekson ARRSH-ja.
Gjithashtu zëvendëskryeministri Erion Braçe përmes një reagim ka falenderuar grupet e punës që dhe gjatë këtyre orëve të mbrëmjes punojnë me përkushtim për të garantuar qarkullimin pa probleme të mjeteve.