Dy ditë pas injektimit të vaksinës antiCovid: Mjeku Pipero: I privilegjuar që u vaksinova, nuk kam asnjë shqetësim

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Mjeku i mirënjohur infeksionist, Pëllumb Pipero është ndër të parët që ka injektuar vaksinën antiCovid dhe dy ditë më pas ai thotë se nuk ka asnjë shqetësim.

“E quaj veten me fat që nuk e kam kaluar deri tani dhe e quaj veten të privilegjuar që u vaksinova ndër të parët për të mundësuar mosinfektimin. Nuk kam ndonjë shqetësim përveçse një dhimbje të lehtë në vendin e aplikimit kur e prek me dorë dhe tani që e prek kam një dhimbje të lehtë. Shenja të tjera ose efekte të tjera anësore nuk kam patur”, tha Pipero gjatë një interviste televizive.

“Derisa të marrim dozën e dytë, ne jemi po aq të pambrojtur dhe të pasigurt sikundër të gjithë ata që nuk janë vaksinuar dhe nuk e kanë kaluar sëmundjen, edhe pse pas ditës së 10, 14 fillon prodhimi i antitrupave, por imuniteti i sigurtë merret pas injektimit të dozës së dytë”, vijon ai.

Mjeku Pipero thotë po ashtu se personat që e kanë kaluar Covid-in dhe kanë antitrupa nuk e kanë të nevojshme që të kryejnë vaksinën, edhe pse nuk është e dëmshme.

“Një person që e ka kaluar COVID-19, që kanë antitrupa të mjaftueshëm, nuk ka arsye për ta bërë, nuk e ka të nevojshme ta bëjë vaksinën edhe pse nuk është e dëmshme’’, përfundon Pipero.
z.tosku//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.