Dje dhe sot/ Investimet që nxorën Fushë-Krujën nga harta e përmbytjeve


TIRANË, 13 janar/ATSH/ Investimi për rehabilitimin e lumit Zezë në qytetin e Fushë-Krujës ka nxjerrë qytetin nga harta e përmbytjeve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Fushë-Kruja e para disa viteve dhe qyteti sot, pas investimit që evitoi përmbytjet.

“Mirëmëngjes dhe me investimin që bëri që hyrje-dalja e Fushë-Krujës bashkë me qindra banesa e familje të mos përmbyten më (siç përmbyteshin 3 e 4 herë në vit kur qeveriseshin nga të mbyturit në politikën e sharjeve, shpifjeve, akuzave, e pastaj mbeteshin me javë në llucë e në lagështirë), ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Lumi Zezë ka qenë gjithmonë problem për banorët e Krujës, ndërsa me rehabilitimin e lumit dhe ndërtimin e urës janë evituar 100% përmbytjet në qytet.

E gjithë sipërfaqja e pronave që më parë prekej nga dalja e ujit për shkak të lumit Zezë, nuk është dëmtuar fare nga reshjet e fundit.

Projekti për rehabilitimin e lumit Zezë nisi nga pika veriore e qytetit deri në rrugën nacionale që lidhet me Mamurrasin.

Ndërhyrja përfshiu sistemimin e seksionit të lumit me mure betonarme, ndërtimin e mureve prej gabioni dhe me gërmimin dhe sistemimin e skarpateve të lumit.

Investimi me vlerë 441.8 milionë lekë ka evituar tërësisht përmbytjet në qytetin e Krujës. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.