Dita e tretë e vaksinimit vijon me mjekët e infermierët e vijës së parë/ Qytetarët për ATSH-në: Sa më shpejt vaksinimi, aq më shumë jetë të shpëtuara

TIRANË, 13 janar/ATSH-A. Fortuzi/ Vijon në “Air Albania Stadium” procesi i vaksinimit antiCOVID, së pari për mjekët dhe infermierët në vijën e parë të luftës ndaj koronavirusit të ri. Përgjatë dy ditëve të para janë vaksinuar mbi 65 mjekë e infermierë në ditë, një numër i ngjashëm është parashikuar edhe në ditën e tretë.

Qytetarët e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm procesin e vaksinimit kundër COVID-19, pandemisë, që ka prekur mbi 64 mijë persona në vendin tonë.

Të pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare mbi procesin e vaksinimit, qytetarët e vlerësojnë si një proces të domosdoshëm, që duhet bërë për të mbyllur kapitullin e COVID- 19.

“Po, shumë i domosdoshëm. Do e bëjmë patjetër. Unë nuk e kam kaluar koronavirusin”, – u shpreh një zonjë. “E rëndësishme është që vaksina ka ardhur dhe ka nisur të shpërndahet dhe të vaksinohet populli”, – u shpreh një zonjë tjetër.

“Procesi tejet i rëndësishëm, shumë shumë mirë. Unë e kam kaluar COVID-19 dhe do pas 4 apo 5 muajsh do doja ta bëja vaksinën”, – u shpreh një zotëri.

“Është një shpëtim për njerëzimin vaksina. Duhet bërë me patjetër. Njerëzimi duhet të besojë tek shkenca. Sa më shpejt të bëhet, aq më shumë jetë të shpëtuara”, – u shpreh një zotëri tjetër. “Kemi patur të afërm që kanë kaluar dhe nuk ishte shaka”, – vijoi një zonjë tjetër. “Mua ende s’më ka vajtur mosha, do doja ta bëja”, – tha një tjetër.

“Ne kemi fëmijët jashtë dhe na sugjeruam ta bëjmë”, – thanë dy zonja më tej.

Irina Preza, specialiste pranë Programit Kombëtar të Vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, nënvizoi se deri më tani, në tri ditët e para nuk është vlerësuar asnjë problematikë, sa i takon efekteve anësore.

“Vazhdon fushata e vaksinimit. Edhe sot në ditën e tretë janë vaksinuar pjesa tjetër e personelit të vijës së parë të spitaleve COVID 1, 2, 3, 4. Personeli është paraqitur në orarin e përcaktuar. Kanë kryer konsultën, kanë kryer vizitën, kanë bërë vaksinën, kanë qëndruar në ambientet e stadiumit dhe s’ka pasur as hezitime, dhe as efekte të padëshiruara”, – theksoi Preza.

“Numri i të vaksinuarve është sa ka qenë dy ditët e para, mbi 65 të vaksinuar në ditë. Në ditët në vijim duam të vazhdojmë me të moshuarit në shtëpitë e kujdesit afatgjatë. Ka kujdesin dhe organizimin e vet me kujdes, pasi nuk duam t’i rrezikojmë. Në fazën e parë kemi prioritet personelin shëndetësor dhe moshën e tretë për shtëpitë e kujdesit afatgjatë. Në fazat e tjera është një proces i gjatë. Të gjitha grupet e riskut, që konsiderohen, apo persona të tjetër të moshuar do vaksinohen”, – theksoi Preza.

Shqipëria arriti të sigurojë 500 mijë doza të vaksinës “Pfizer-BioNTech” ndërsa ka nisur tashmë fushata kombëtare e vaksinimit antiCovid, falas dhe jo e detyrueshme. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.