Burgjet/ 23% më shumë konsulta mjekësore dhe psikiatrike krahasuar me vitin 2019

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha sot se kujdesi shëndetësor ndaj personave të dënuar dhe të paraburgosur në IEVP-të e vendit, ka qenë një nga sektorët më prioritarë gjatë punës së këtij mandati.

Gjonaj teksa renditi disa nga punët e kryera për të përmirësuar shërbimin dhe trajtimin në sistemin penitenciar, theksoi se është rritur numri i konsultave mjekësore në tërësi dhe atyre psikiatrike në veçanti me 30 % gjatë 2019 krahasuar me vitin 2018 dhe 23 % gjatë 2020, krahasuar me vitin 2019.

“Është rritur numri i konsultave të specializuara dhe ekzaminimeve mjekësore për të burgosurit në spitalet rajonale publike me 27 % gjatë 2020 krahasuar me vitin 2019. Kemi mundësuar hartimin e udhëzuesit mbi masat parandaluese të vetëdëmtimeve me dashje në burgje dhe paraburgime”, thotë Gjonaj.

Ministrja thekson se është vënë në eficiencë të plotë laboratorin kliniko-biokimik në spitalin e burgut për realizimin e analizave laboratorike të burgosurve.

“Kemi lidhur kontrata për punësim me kohë të pjesshme të mjekëve, si dhe kemi forcuar bashkëpunimin me Spitalet Rajonale për konsulta dhe ekzaminime mjekësore të një numri të shtuar të të burgosurve”, u shpreh ministrja Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.