Braimllari në Lubonjë të Korçës: Sa herë ndërhyn qeveria zhytet situata më tej në krizë

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari ishte sot në fshatin Lubonjë të Korçës, që siç tha ai “është lënë në mëshirë të fatit”.

“Njësia administrative Lubonjë ka peshën më të madhe në bujqësi. Nga qeveria është lënë tërësisht në harresë, duke filluar që nga subvencionimi i fermerëve. I vetmi investim që është bërë në fshatin tonë është rruga dhe ky investim është bërë nga TAP. Investimet nga qeveria janë zero. Të rinjtë dhe të rejat janë larguar nga fshati për shkak të varfërisë dhe mos mbështetjes nga kjo qeveri”, u shpreh një banor i Lubonjës.

Ndërsa Braimllari theksoi se, “kjo është një qeveri që e zhyt akoma dhe më shumë këtë vend në krizë. Shikoni se si po menaxhohet situata nga përmbytjet. Sa herë ndërhyn qeveria zhytet situata më tej në krizë dhe nuk ka zgjidhje”.

Sipas tij, “e vetmja rrugë është që më 25 prill të marrin pjesë masivisht të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Lubonjës, të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Vithkuqit, të gjithë të rinjtë dhe të rejat e qarkut të Korçës për t’i dhënë goditjen përfundimtare kësaj qeverie që ka varfëruar në ekstrem vendin”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.