Arsimi Profesional, mundësi reale punësimi për të rinjtë

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Arsimi Profesional është sot një mundësi reale punësimi për të rinjtë në të gjithë vendin dhe në shumë sektorë të ekonomisë.
Në fokusin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive është pikërisht nxitja e bashkëpunimit shkollë-biznes, si mekanizmi i duhur që gjeneron punësim.
Një shembull konkret i këtij bashkëpunimi është edhe shkolla e mesme profesionale publike “Charles Telford Erickson” Golem-Kavajë që konsiderohet si zgjedhja më e mirë për profesionet më të kërkuara në tregun rajonal të punës.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi rastin e Erjonës, studente në degën ekonomi-biznes, në shkollën e mesme profesionale “Charls Telford Erkison”, që është angazhuar në punë me kohë të pjesshme falë bashkëpunimit shkollë-biznes.
“Eksperienca si menaxhere salle në një subjekt në sektorin e hoteleri-turizmit, është një fillim i mbarë i karrierës së saj”, shprehet Denaj.

Mësimdhënia në këtë shkollë zhvillohet me metodat bashkëkohore dhe ka një staf i specializuar për mësimin në distancë.

Gjithashtu shkolla ofron praktikë profesionale pranë bizneseve më të suksesshme të rajonit, ndërsa ofrohen drejtimet: Ekonomi–biznes, Veterinari, Bujqësi. /a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.