Rama me kompaninë turke që do të ndërtojë spitalin e Fierit/ Projekt sfidues, 1200 punëtorë me 3 turne në 7 ditë të javës

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fier, me përfaqësues të kompanisë turke që do të ndërtojë spitalin e ri rajonal brenda 3 muajsh, e cila do të angazhojë 1200 punëtorë me 3 turne në 7 ditë të javës.

Përfaqësuesit e kompanisë turke panë nga afër territorin ku do të ndërtohet Spitali Rajonal i Fierit, një sipërfaqe në dispozicion prej 5 hektarësh, ngjitur me autostradën dhe me infrastrukturën e nevojshme të zonës.

Kryeministri Rama tha se “sfida është shumë e madhe, siç mund ta kuptoni. Ju jeni ndër ata që kanë reputacionin e madh për zhvillimin e projekteve shumë sfiduese. Tani ne jemi këtu në dispozicionin tuaj, çdo gjë do të jetë si e kërkoni ju. Me mbështetje të plotë. Plani që keni ju parashikon që shumë njerëz të punojnë këtu, prandaj mirësevini dhe ambasadori nga ana juaj dhe ne nga ana jonë do të japim mbështetje të plotë”.

Ndërkohë përfaqësuesi i kompanisë turke vlerësoi mbështetjen e qeverisë shqiptare, ndërsa theksoi se “e dimë që është një sfidë e madhe”.

“Ne si grup, morëm urdhër nga Presidenti ynë, Rexhep Taip Erdogan javën e kaluar gjatë vizitës së kryeministrit të nderuar në Turqi. Na instruktuan të finalizojmë, duhet të dorëzojmë spitalin pas 3 muajsh. Ka një bast të madh mbi këtë gjë, e dimë që është një sfidë e madhe, dhe faleminderit për mbështetjen që na dhanë që nga dita e parë. Ne arritëm dje dhe e ndjejmë mbështetjen e plotë nga ana e qeverisë shqiptare, nga ambasadori ynë gjithashtu, Shkëlqesia e Tij. Ne do bëjmë më të mirën tonë, erdhëm si skuadër dhe do e lëmë skuadrën këtu. Do fillojmë punën që nesër. Le të kryqëzojmë gishtat, e dimë që është sfidë e madhe, por nëse kemi besim do ia dalim dhe inshalla para zgjedhjeve do jemi të nderuar të hapim spitalin”, tha ai.

Lidhur me raportin mes punonjësve turq dhe punonjësve shqiptarë, ai informoi se “patjetër që do përdorim edhe forcën e punës shqiptare”.

“Ne presim minimum 20-30% e punonjësve të jenë nga forca e punës shqiptare dhe vëllezërit shqiptarë do na mbështesin për këtë. Dhe të gjithë produktet që ne do i gjejmë në Shqipëri, të bëra këtu do preferojmë t’i blejmë këtu, pjesa tjetër do vijë direkt nga Turqia”, tha ai.

Ndërkohë Kryeministri Rama vuri në dukje faktin se “në Turqi, në punët e mëdha publike, minimumi mesatar i forcës së punës ishte 400 orë në muaj”.

“Kjo është e rëndësishme që njerëzit tanë ta dinë. Në projekt, pra në thelb është shumë afër me atë që ndodh këtu në punët publike, prandaj është me rëndësi që njerëzit ta dëgjojnë këtë, sepse ndonjëherë ka vështirësi për ta kuptuar këtë gjë, e ndonjëherë njerëzit bëjnë krahasime me Gjermaninë dhe me Francën”, tha Rama, ndërsa theksoi se “cilësia është gjithashtu më e mira”.

Ndërsa theksoi se paga minimale në Turqi, është gjithsej 340, Rama tha se “ne e rritëm në 300 mijë këtë vit, sigurisht ka ende një diferencë, por para 7 vitesh ishte 200 e pak, kështu që, patjetër që s’mjafton, por ka një përmirësim”.

“Kjo do jetë një sfidë, për të nisur shpejt punën dhe për të folur me kompanitë e vogla rrotull, me ndërtuesit e vegjël për të parë çfarë mund të ofrojnë ata, por jam shumë i sigurtë që do ia dilni. Nuk e premtoj unë, nuk e kam premtuar unë, dua të sigurohem që njerëzit e dëgjojnë, ky është premtimi i Presidentit, nëse nuk mbahet premtimi është për shkak të tij, jo timin, se njerëzit nuk duhet ta harrojnë këtë. Do bëjmë më të mirën tonë që mos të keni arsye për të marrë ambasadorin e për t’i thënë që humbëm një ditë pune për shkak të burokracive shqiptare, për shkak të çfarëdo arsyeje nga ana shqiptare. Do jemi 24 orë në ditë me ju, ministrja, skuadra, menaxheri i projektit nga ana jonë do të vendoset që të punoni me të vetëm që t’i përgjigjet çdo kërkese, pra s’do ju duhet të shkoni në asnjë zyrë, askund, ne do jemi pas jush”, siguroi Rama.

Kompania turke është e dyta më e mira në botë në lidhje me vëllimin e projekteve që kanë bërë kudo./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.